...
Vende Unike
Vende unike piktoreske të Beratit
  • Lagjja Mangalem- Zona më përfaqësuese e Beratit për arkitekturën e periudhës otomane, lagjja “Mangalem” shtrihet rrëzë kodrës mbi të cilën ngrihet kalaja e qytetit. Lagjja është një realizim i shkëlqyer i një peizazhi të pjerrët, i cili në mënyrë natyrale ka krijuar një shpat unik me pamje nga qyteti i njohur si "qyteti i një mbi një dritareve".
  • Kalaja- Kalaja e Beratit përfaqëson një monument historik ku gjurmët e qytetërimeve mbivendosen dhe historia e shkruar gjen dëshmi të prekshme nga antikiteti deri në fund të periudhës otomane
  • Muzeu Kombëtar Ikonografik Onufri- Muzeu është i vendosur brenda Katedrales "Fjetja e Shën Mërisë" në lagjen Kala. Kjo kishë e stilit post-bizantin karakterizohet nga një ikonostas i mrekullueshëm prej druri i larë me ar. Koleksioni i ikonave daton nga shekulli XIV deri në shekullin XIX dhe përfshin vepra të të rëndësishme arti dhe artefakte.
  • Ura e Goricës- E konsideruar si simboli i Beratit, Ura e Goricës është një nga thesaret e trashëgimisë historiko-kulturore të Shqipërisë. Është një nga urat më të mëdha të kohës dhe një nga urat e pakta të asaj periudhe që i ka rezistuar kohës e është ende në përdorim.
  • Fshati Roshnik - Fshati Roshnik gjendet i rrethuar nga një pamje mahnitëse kodrash, e mbushur me pyje, formacione mahnitëse shkëmbore dhe madje edhe një liqen, kanion dhe një lumë i vogël. Roshniku është i mbushur me peizazhe mahnitëse ku mund të shëtisësh dhe me vende që presin të zbulohen.
  • Qendra mesjetare- Ndërtimet kryesore të kësaj qendre përfshijnë Xhaminë Mbret, një nga xhamitë më të mëdha në Shqipëri, Teqeja e Helvetive, me piktura të përshkruara si ndër më të bukurat e asaj kohe, dhe Konakët e Dervishëve që shërbenin si strehë për dervishët dhe pelegrinët që kryenin ceremonitë fetare në këtë teqe.
  • Kisha e Shën Mëhillit- Një objekt  me rëndësi të jashtëzakonshme është dhe Kisha e Shën Mëhillit e shekullit XIV e ndërtuar mbi një shkëmb në lagjen Mangalem në pjesën jugore të Kalasë. Kjo kishë është dëshmi e mjeshtërisë në teknikën e klausonazhit në periudhën e vonë bizantine.
  • Xhamia e Beqarëve- E ndërtuar në vitin 1827 për zejtarët e pamartuar, kjo xhami gjendet në zemër të lagjes Mangalem e është në raport të përsosur me shtëpitë e kësaj lagjeje.
  • Muzeu Etnografik- I ndodhur në një shtëpi të bukur tradicionale të stilit otoman të shekullit XVIII, Muzeu Etnografik ekspozon 1400 objekte, që paraqesin me vërtetësi stilin e jetesës ndër shekuj në qytetin e Beratit.
  • Ujëvara e Bogovës - Ujëvara Bogovës, është monument natyror dhe një nga më të bukurat në vend që vizitohet nga mijëra turistë gjatë të gjitha stinëve dhe kryesish në dimër që me praninë e akullit bëhet edhe më e bukur.
Shikoni gjithashtu

Bashkëpunëtorët tanë